Të mbledhur në mbledhje të jashtëzakonshme më 17 shkurt 2008, në kryeqytetin e Kosovës, në Prishtinë,
Duke iu përgjigjur thirrjes së popullit për të ndërtuar një shoqëri që respekton dinjitetin njerëzor dhe afirmon krenarinë dhe synimet e qytetarëve të saj,
Të zotuar për t’u përballur më trashëgiminë e dhembshme të së kaluarës së afërt në frymë të pajtimit dhe faljes,
Të përkushtuar ndaj mbrojtjes, promovimit dhe respektimit të diversitetit të popullit tonë,
Duke riafirmuar dëshirën tonë për t’u integruar plotësisht në familjen euroatlantike të demokracive,
Duke vërejtur se Kosova është një rast special që del nga shpërbërja jokonsensuale e Jugosllavisë dhe nuk është presedan për cilëndo situatë tjetër,
Duke rikujtuar vitet e konfliktit dhe dhunës në Kosovë që shqetësuan ndërgjegjen e të gjithë popujve të civilizuar,
Mirënjohës që bota intervenoi më 1999 duke hequr në këtë mënyrë qeverisjen e Beogradit mbi Kosovën, dhe vendosur Kosovën nën administrimin e përkohshëm të Kombeve të Bashkuara,
Krenarë që Kosova që atëherë ka zhvilluar institucione funksionale, multietnike të demokracisë që shprehin lirisht vullnetin e qytetarëve tanë,
Duke rikujtuar vitet e negociatave të sponsorizuara ndërkombëtarisht ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës mbi çështjen e statusit tonë të ardhshëm politik,
Duke shprehur keqardhje që nuk u arrit asnjë rezultat i pranueshëm për të dyja palët përkundër angazhimit të mirëfilltë të udhëheqësve tanë,
Duke konfirmuar se rekomandimet e të Dërguarit Special të Kombeve të Bashkuara, Martti Ahtisaari, i ofrojnë Kosovës një kornizë gjithëpërfshirëse për zhvillimin e saj të ardhshëm, dhe janë në vijë me standardet më të larta europiane për të drejtat të njeriut dhe qeverisjen e mirë,
Të vendosur që ta shohim statusin tonë të zgjidhur në mënyrë që t’i jipet popullit tonë qartësi mbi të ardhmen e vet, të shkohet përtej konflikteve të së kaluarës dhe të realizohet potenciali i plotë demokratik i shoqërisë sonë,
Duke nderuar të gjithë burrat dhe gratë që bënë sakrifica të mëdha për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për Kosovën,
1. Ne, udhëheqësit e popullit tonë, të zgjedhur në mënyrë demokratike, nëpërmjet kësaj Deklarate shpallim Kosovën shtet të pavarur dhe sovran. Kjo shpallje pasqyron vullnetin e popullit tonë dhe është në pajtueshmëri të plotë me rekomandimet e të Dërguarit Special të Kombeve të Bashkuara, Martti Ahtisaari, dhe Propozimin e tij Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës.
2. Ne shpallim Kosovën një republikë demokratike, laike dhe multietnike, të udhëhequr nga parimet e jodiskriminimit dhe mbrojtes së barabartë sipas ligjit. Ne do të mbrojmë dhe promovojmë të drejtat e të gjitha komuniteteve në Kosovë dhe krijojmë kushtet e nevojshme për pjesëmarrjen e tyre efektive në proceset politike dhe vendimmarrëse.
3. Ne pranojmë plotësisht obligimet për Kosovën të përmbajtura në Planin e Ahtisarit, dhe mirëpresim kornizën që ai propozon për të udhëhequr Kosovën në vitet në vijim. Ne do të zbatojmë plotësisht ato obligime, përfshirë miratimin prioritar të legjislacionit të përfshirë në Aneksin XII të tij, veçanërisht atë që mbron dhe promovon të drejtat e komuniteteve dhe pjesëtarëve të tyre.
4. Ne do të miratojmë sa më shpejt që të jetë e mundshme një kushtetutë që mishëron zotimin tonë për të respektuar të drejtat e njeriut dhe liritë themelore të të gjithë qytetarëve tanë, posaçërisht ashtu siç definohen me Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut. Kushtetuta do të inkorporojë të gjitha parimet relevante të Planit të Ahtisaarit dhe do të miratohet nëpërmjet një procesi demokratik dhe të kujdesshëm.
5. Ne mirëpresim mbështetjen e vazhdueshme të bashkësisë ndërkombëtare për zhvillimin tonë demokratik nëpërmjet të pranive ndërkombëtare të themeluara në Kosovë në bazë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (1999). Ne ftojmë dhe mirëpresim një prani ndërkombëtare civile për të mbikëqyrur zbatimin e Planit të Ahtisaarit dhe një mision të sundimit të ligjit të udhëhequr nga Bashkimi Europian. Ne, po ashtu, ftojmë dhe mirëpresim NATO-n që të mbajë rolin udhëheqës në praninë ndërkombëtare ushtarake dhe të zbatojë përgjegjësitë që i janë dhënë sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (1999) dhe Planit të Ahtisaarit, deri në atë kohë kur institucionet e Kosovës do të jenë në gjendje të marrin këto përgjegjësi. Ne do të bashkëpunojmë plotësisht më këto prani në Kosovë për të siguruar paqen, prosperitetin dhe stabilitetin në të ardhmen në Kosovë.
6. Për arsye të kulturës, gjeografisë dhe historisë, ne besojmë se e ardhmja jonë është në familjen europiane. Për këtë arsye, ne shpallim synimin tonë për të marrë të gjitha hapat e nevojshëm për të siguruar anëtarësim të plotë në Bashkimin Europian sapo që të jetë e mundshme dhe për të zbatuar reformat e kërkuara për integrim europian dhe euroatlantik.
7. Ne i shprehim mirënjohje Organizatës së Kombeve të Bashkuara për punën që ka bërë për të na ndihmuar në rimëkëmbjen dhe rindërtimin pas lufte dhe ndërtimin e institucioneve të demokracisë. Ne jemi të përkushtuar të punojmë në mënyrë konstruktive me Organizatën e Kombeve të Bashkuara gjersa ajo vazhdon punën e saj në periudhën në vijim.
8. Me pavarësinë vie detyra e anëtarësisë së përgjegjshme në bashkësinë ndërkombëtare. Ne e pranojmë plotësisht këtë detyrë dhe do t’i përmbahemi parimeve të Kartës së Kombeve të Bashkuara, Aktin Final të Helsinkit, akteve tjera të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë, obligimeve ligjore ndërkombëtare dhe parimeve të marrëdhënieve të mira ndërkombëtare që shënojnë marrëdhëniet ndërmjet shteteve. Kosova do të ketë kufijtë e saj ndërkombëtarë ashtu siç janë paraparë në Aneksin VIII të Planit të Ahtisaarit, dhe do të respektojë plotësisht sovranitetin dhe integritetin territorial të të gjithë fqinjve tanë. Kosova, po ashtu, do të përmbahet nga kërcënimi apo përdorimi i forcës në cilëndo mënyrë që është jokonsistente me qëllimet e Kombeve të Bashkuara.
9. Ne, nëpërmjet kësaj Deklarate, marrim obligimet ndërkombëtare të Kosovës, përfshirë ato të arritura në emrin tonë nga Misioni i Administratës së Përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), si dhe obligimet e traktateve dhe obligimet tjera të ish-Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë ndaj të cilave obligohemi si ish-pjesë konstituive, përfshirë konventat e Vjenës për marrëdhëniet diplomatike dhe konsullore. Ne do të bashkëpunojmë plotësisht me Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë. Ne synojmë të kërkojmë anëtarësim në organizatat ndërkombëtare, në të cilat Kosova do të synojë të kontribuojë për qëllime të paqes dhe stabilitetit ndërkombëtar.
10. Kosova shpall zotimin e saj ndaj paqes dhe stabilitetit në rajonin tonë të Europës Juglindore. Pavarësia jonë e sjell në fund procesin e shpërbërjes së dhunshme të Jugosllavisë. Gjersa ky proces ka qenë i dhembshëm, ne do të punojmë pa pushim për t’i kontribuar një pajtimi që do të lejonte Europën Juglindore të shkojë përtej konflikteve të së kaluarës dhe të farkojë lidhje të reja rajonale të bashkëpunimit. Për këtë arsye, do të punojmë së bashku me fqinjtë tanë për të avansuar të ardhmen tonë të përbashkët europiane.
11. Ne shprehim, në veçanti, dëshirën tonë për të vendosur marrëdhënie të mira me të gjithë fqinjtë tanë, përfshirë Republikën e Serbisë, me të cilën kemi marrëdhënie historike, tregtare dhe shoqërore, të cilat synojmë t’i zhvillojmë më tej në të ardhmen e afërt. Ne do të vazhdojmë përpjekjet tona për t’i kontribuar marrëdhënieve të fqinjësisë dhe bashkëpunimit me Republikën e Serbisë duke promovuar pajtimin ndërmjet popujve tanë.
12. Ne, nëpërmjet kësaj, afirmojmë në mënyrë të qartë, specifike dhe të parevokueshme se Kosova do të jetë ligjërisht e obliguar të plotësojë dispozitatat e përmbajtura në këtë Deklaratë, përshirë këtu veçanërisht obligimet e saj nga Plani i Ahtisaarit. Në të gjitha këto çështje, ne do të veprojmë në pajtueshmëri në parimet e së drejtës ndërkombëtare dhe rezolutat e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, përfshirë Rezolutën 1244 (1999). Ne shpallim publikisht se të gjitha shtetet kanë të drejtën të mbështeten në këtë Deklaratë, dhe i bëjmë apel të na ofrojnë përkrahjen dhe mbështetjen e tyre.
Kuvendi mban seancë të jashtëzakonshme për shpalljen e pavarësisë dhe simboleve shtetërore |
Prishtinë, 17 shkurt - Presidenti dhe kryeministri i Kosovës, Fatmir Sejdiu dhe Hashim Thaçi, i dorëzuan sot një kërkesë Kuvendit të Kosovës që ta thërrasë një seancë të jashtëzakonshme, në të cilën do të miratohet deklarata e shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe miratimin e simboleve të reja shtetërore. Këtë e bëri të ditur, kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi në një konferencë për media në Qendrën e Medieve në Prishtinë. "Dua t'ju informoj se kam pasur kënaqësinë, nderin, por edhe përgjegjësinë shtetërore që para pak çasteve t'ia dorëzoj kryetarit të Kuvendit të Kosovës në bashkëpunim me Presidentin e Kosovës, kërkesën për seancë të jashtëzakonshme sot", tha para gazetarëve Thaçi. Në përmbajtje të letrës së dorëzuar Kuvendit të Kosovës thuhet se ndodhemi në prag të momentit më të rëndësishëm të historisë sonë. Kryeministri Thaçi theksoi e tani është koha që të marrim vendime të cilat do ta bëjnë vendim tonë pjesë të kombeve të lira dhe të pavarura. "Kam kërkuar nga Kuvendi i Kosovës për një seancë të jashtëzakonshme që ta miratojë deklaratën e pavarësisë dhe miratimin e simboleve shtetërore të Kosovës", tha kryeministri Thaçi, duke shtuar se kjo kërkesë është nënshkruar nga Presidenti Sejdiu dhe ai vetë. Në këto momente (rreth orës 12.15) Kryesia e Kuvendit është duke e shqyrtuar kërkesën për seancë të jashtëzakonshme.
Fjala e Presidentit Fatmir Sejdiu në ditën e Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës |
Prishtinë, 17 shkurt 2008; Salla 1 Tetori I nderuar kryetar i Kuvendit të Kosovës, z. Jakup Krasniqi, I nderuar kryeministër i Kosovës, z. Hashim Thaçi, Të nderuar deputetë e ministra të Kuvendit të Kosovës, E nderuara familje e Presidentit Rugova,
E nderuara familje Jashari,
Të nderuara familje të dëshmorëve të Kosovës,
Të nderuar përfaqësues të institucioneve të vendit,
Të nderuar përfaqësues të misioneve diplomatike në Kosovë,
Qytetarë të dashur të Republikës së Kosovës,
Zonja dhe zotërinj,
Po flas para jush si President i Republikës së Kosovës të shpallur pasditen e sotme, kësaj të diele të 17 shkurtit të vitit 2008.
Siç e thashë sot në fjalën time në Kuvend, dita e sotme e ndan historinë e Kosovës në dysh; në epokat para dhe pas pavarësisë. Pavarësinë e Kosovës e kanë krijuar breza të tërë heronjësh të kënduar e të pakënduar me veprën e tyre jetësore, me punën e palodhshme e sakrificat që kanë bërë. Pavarësinë e shpallëm para botës ne, populli i Kosovës, afër dy milionë e gjysmë njerëz, përmes përfaqësuesve të popullit, të deputetëve të kësaj legjislature, tash të Republikës së Kosovës, ngritën dorën në mbështetje të Deklaratës së Pavarësisë. Mëvetësinë tonë e shpallëm para botës dhe me bekimin e saj, në mes miqësh tanë, që u gjetën pranë nesh para një dekade, kur e keqja kishte përlarë këtë pjesë të Ballkanit, por edhe më vonë, në këto vite të rimëkëmbjes së jetës shoqërore, ekonomike e politike të vendit tonë të shkatërruar nga okupimi e lufta. Në këtë fillim të shekullit të ri, të mileniumit të tretë, po hyjmë në familjen e madhe, në gjirin e kombeve të lira të botës, me pavarësi – si të barabartë.
Për t’u bërë shtet më vete, komb në kuptimin politik të fjalës, Kosova ka kaluar nëpër histori përpjekjesh e vuajtjesh gjatë ekzistencës së vet, shpeshëherë në luftë për identitet politik, kulturor e historik si entitet më vete. Perandori të mëdha e të vogla prej antike e këndej janë ngritur, kanë lulëzuar, e kanë rënë, ndërsa Kosova – si Dardani antike apo si njësi me identitet të veçantë përgjatë historisë – ka ruajtur substancën e vet me bazë shumicën parashqiptare e shqiptare, dhe me pakicat etnike, që kanë jetuar këtu nëpër shekuj përgjatë evolucionit historik të kësaj hapësire gjeografike e politike.
Pavarësinë e Kosovës e shpallëm sot, kur sapo janë mbushur dy vjet nga vdekja e Ibrahim Rugovës, burrit më të madh të Kosovës, themeltarit të shtetit tonë. Rugova, Ati i Kombit tonë, në kuptimin politik të fjalës, dhe Adem Jashari, komandanti legjendar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që mbush muajin tjetër 10 vjet të jetës në amshim, pasi ra në altarin e lirisë në Prekaz, përbëjnë binomin e pandashëm të pavarësisë së Kosovës. Ibrahim Rugova e nxori Kosovën prej kaosit në organizim, me rend të brendshëm demokratik e me struktura elementare shtetërore, deri edhe me përfaqësim diplomatik në bërthamë. Me këto dhe veprime të tjera ai ngriti dhe promovoi kulturën shtetformuese të Kosovës. Veprimi dhe organizimi kanë qenë palca kurrizore e aksionit politik të Ibrahim Rugovës, të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), të lëvizjes më të organizuar shtetformuese që kanë pasur shqiptarët në historinë e vet moderne, amën e shtetit të Kosovës dhe të pluralizmit politik të vendit tonë, dhe të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), organizimit më të suksesshëm të vullnetit luftarak të popullit tonë për liri dhe mëvetësi. Veprimtaria e lëvizjes politike që drejtoi Rugova ka qenë vetë lufta totale politike me organizim, i cili ka shtruar rrugën për të mbramen: për luftën me armë për liri e për ekzistencë njerëzore e nacionale, emblemë e përjetshme e së cilës mbetet komandanti Adem Jashari.
Çfarë shteti të Kosovës po krijojmë? Nëse jo në versionin idealist të Rugovës, të ideologut të pavarësisë së Kosovës, e të luftëtarëve me armë, shteti më i ri në Evropë e në botë po ndërtohet mbi themelet që kishte vënë Republika e Kosovës, e ngjyer me sakrificën e brezave e me gjakun e rreth 15.000 kosovarëve që ranë në altarin e lirisë në fund të shekullit të kaluar, para më pak se një dekade. Kjo Kosovë është shtëpi e të gjithëve, e shqiptarëve shumicë dërmuese dhe e të gjitha komuniteteve pakicë, duke përfshirë edhe serbët, me paqe të brendshme e raporte miqësore me fqinjtë, pjesë e Unionit Evropian dhe NATO-s dhe me marrëdhënie speciale me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës.
Zonja dhe zotërinj,
Kosova do të gjendet prej sot në hartën politike të botës. Synimi historik i popullit të Kosovës u realizua. Ëndrra jonë shekullore u bë realitet. Ne marrim atributet e nderit, por edhe përgjegjësitë që i takojnë shtetit, pas një ndërmarrjeje shtetformuese shumë të veçantë që e bën rastin e Kosovës sui generis. Këto përgjegjësi i marrim para të gjithë qytetarëve tanë, por edhe para bashkësisë ndërkombëtare. Tash vazhdon jeta me sprovat e ditëve, të javëve, të muajve, të viteve, e të dekadave që ka përpara ky brez i njerëzve tanë, i shtetasve të Republikës së Kosovës, që kanë fatin të jenë bashkëkohës të shpalljes së Deklaratës së Pavarësisë. Ne besojmë se trashëgimtarët tanë do të kenë arsye të ndihen krenarë me paraardhësit e vet, me vizionin e tyre për jetën e re të kombit tonë, me shpirtin e tyre fisnik, me frymën e tyre të paqes, të farkuar në vazhdën e stuhive barbare, të mizorive e të krimeve të luftës që prodhoi e keqja e fundshekullit të XX.
Kosova shtet po lind sot me ode gëzimi për shumicën dërrmuese të popullit tonë. Mirëpo, duhet pranuar se një pjesë e bashkëqytetarëve tanë, e shtetasve të Republikës sonë të re, nuk e kanë pritur lindjen e këtij shteti me entuziazëm. Disa e kanë pritur edhe me drojë. E bëjmë të qartë dhe e themi zëshëm dhe solemnisht: Liria jonë do të jetë e të gjithëve! Liria jonë s’mund të jetë kërcënim për askë, aq më pak për bashkëqytetarët tanë. Kësaj lirie të përbashkët i kërcënohet vetëm paragjykimi i atyre që e kanë parë shoqërinë tonë nga prizmi i dominimit. Kosova e re është arenë e barazisë së të gjithëve, jo e dominimit të askujt mbi askë. Kjo është besa jonë, e njerëzve të mirë të Kosovës dhe e institucioneve të saj, që do të shenjtërohet edhe me Kushtetutën e Republikës, e cila do të miratohet nga Kuvendi pas disa javësh. Bashkë me Kushtetutën dhe krahas me të do të miratohet edhe korpusi i ligjeve që përplotëson kornizën ligjore të Republikës së Kosovës, që, sipas nenit të parë të Kushtetutës së saj, është “shtet i pavarur, sovran, demokratik, unik, dhe i pandashëm”. Një pjesë e këtij korpusi tashmë është miratuar nga legjislatura e përparshme e Kuvendit. Kjo dëshmon se përkushtimi i kosovarëve për këtë rend të ri të brendshëm të Kosovës nuk determinohet nga përbërja e një legjislature, apo e një Qeverie të Kosovës. Ky përkushtim është më i madh se rezultati i stinëve politike, i cikleve demokratike, nëpër të cilat do të kalojë Republika jonë.
Republika e Kosovës do të kërkojë kulm të ri në Unionin Evropian dhe në NATO. Integrimi ynë do të shkojë natyrshëm sepse me vlera të veta, Kosova kulturalisht bën pjesë në këtë familje që moti. Tashti na duhet edhe integrimi politik për të siguruar mundësi që potencialet njerëzore e materiale të vendit tonë të vihen në shërbim të zhvillimit të gjithanshëm shoqëror e ekonomik të vendit tonë.
Pavarësia e Kosovës e bën të mundshme pjesëmarrjen e vendit tonë në proceset ekonomike globale, të cilat shkojnë nëpër bashkëpunime rajonale dhe multilaterale fillimisht. Vendi ynë do të krijojë mundësi për jetë më të mirë për të gjithë qytetarët e vendit, sepse shteti ynë do të jetë partner sovran në marrëdhëniet me të tjerët, në mbrojtje të vlerave e të qytetarëve të vet, duke respektuar dhe promovuar vlerave universale në udhën e progresit për të gjithë.
Institucionet e përkohshme vetëqeverisëse të Kosovës – IPVQ, siç janë quajtur me një akronim jo fort kumbues – Republika i shndërron në institucione të përkohshme që s’do të quhen të përkohshme, por as të përhershme. E përhershme është tani vetëm Republika – është liria e Kosovës.
E përjetshme qoftë Republika e Kosovës! Sot e për mot një ode gëzimi për ne vdektarët, për kalimtarët e kësaj bote.
Republika e Kosovës kërkon përqafimin e botës.
Ju falemnderit!
Presidenti i Kosovës
Dr. Fatmir Sejdiu
Kryesia e Kuvendit miratoi kërkesën për shpalljen e Deklaratës së pavarësisë |
Prishtinë, 17 shkurt Kryesia e Kuvendit të Kosovës, në të cilën morën pjesë edhe kryetarët e grupeve parlamentare të partive në Kuvend, miratoi njëzëri dy mocionet e propozuara nga Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu dhe Kryeministri Hashim Thaçi, që në Kuvendin e Kosovës, të caktuar për orën 15:00 të shqyrtohet Deklarata e pavarësisë së Kosovës dhe miratimi i simboleve shtetërore. Presidenti Sejdiu theksoi se në bashkëpunim me Kryeministrin Thaçi kanë proceduar këtë kërkesë të përbashkët në séancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, që të shqyrtojë këto dy pika të rëndësishme. Ndërkaq, Kryeministri Hashim Thaçi tha se vendi ndodhet në prag të momentit më të rëndësishëm të historisë sonë, në prag të shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Tani duhet të merren vendime, të cilat do të bëjnë vendin pjesë të kombeve të lira, sovrane dhe të pavarura. Ai nënvizoi se ky vendim bazohet edhe fakti se bisedimet për statusin e Kosovës kanë përfunduar dhe në këtë mënyrë rikonfirmohet zotimi i Kosovës për zbatimin e propozimit gjithëpërfshirës të të dërguarit të Kombeve të Bashkuara, duke mirëpritur misionin e ri ndërkombëtar të udhëhequr nga Bashkimi Evropian, i cili do të ndihmojë zhvillimin demokratik dhe mbikëqyrjen e zbatimit të planit të Marti Ahtisarit. |
|
|
|